E mërkurë, 13 dhjetor 2006, Express

Dorëzohet Sabiti
Sabit Rahmani, kryetari i PDASH –së ka pranuar personalisht aktvendimin për burgim në Gjykatën komunale të Ferizajt.
Ai ka thënë se do t’i përgjigjet burgut, mirëpo vendimi është i padrejtë dhe nuk ka fakte.
Sara Rexhepi
sara.rexhepi@gazetaexpress.com

 

Sabit Rrahmani- dorëzohet
Prishtinë, 12 dhjetor —
Kryetari i ashkalinjve ka vendosur të pajtohet me keqpërdorimet dhe dallaveret që i ka bërë.
Sabit Rrahmani është nisur në Gjykatën komunale në Ferizaj, për të marrë me dorën e vet aktvendimin për pesë muaj burg. Ditë më parë ai ka pranuar fajet, mirëpo lidhur me aktvendimin, Sabiti thotë se është “ i padrejtë dhe pa fakte”, edhe pse iu ka përgjigjur Gjykatës së Ferizajt, e cila ka pranuar të hënën aktvendimin nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Tash ka mbetur vetëm t`i përcaktohet se ku do ta vuajë dënimin. “Ai personalisht e ka marrë vendimin”, tha Rifat Abdullahu, kryetrari i Gjykatës komunale të Ferizajt.
Deputeti Rrahmani ditë më parë ka thënë se mashtrimet i ka bërë për “me i ngopë komunitetin e tij ashkali me bukë”.
Mirëpo, ai si duket ka harruar se duke i mashtruar njerëzit, vetëm se ka ushtruar detyrën e deputetit, nuk mund t’i ndihmojë komunitetit ashkali. Edhe pse, sipas deklaratave të tyre në media, ai është i pazëvendësueshëm dhe se ata do ta bojkotojnë Qeverinë nëse Rrahmani arrestohet.
Deputetit Rrahmani i vishen më shumë se dhjetë padi, mirëpo dënimi me pesë muaj është për tri të tilla të vitit 2001- 02. Asokohe Rrahmani iu ka premtuar të dëmtuarve se do t’i dërgojë në Suedi, Francë, Gjermani, ku vetëm nga këto tri mashtrime Sabiti ka fituar rreth 4.000 mijë euro, dhe të dëmtuarit nuk iu kanë siguruar vizat e premtuara e as u janë kthyer të hollat.
Burime e Express bëjnë të ditur se Sabiti për t’u treguar më i bindshëm te të dëmtuarit, shpeshherë i ka dërguar edhe nëpër ambasada të vendeve përkatëse, në Prishtinë dhe në Shkup. Meqë të dëmtuarit nuk kanë siguruar viza, as nuk i kanë marrë të hollat e tyre, ata e kanë denoncuar Sabitin në Gjykatën komunale të Ferizajt.
Lënda e parë ishte e shtatorit të vitit 2002, kur në shtëpinë e tij për të përfituar ka mashtruar të dëmtuarin V. Z. se do t’ia sigurojë vizën për Suedi. Nga i dëmtuari, Sabiti ka kërkuar 2.300 euro, ku ai një pjesë ia ka dhënë gruas së tij e pas pak ditësh pjesën tjetër ia ka dhënë rojës së tij.
Lënda e dytë ishte kur Sabiti në muajin prill 2002, ka mashtruar të dëmtuarin D. K. duke i thënë se do t’ia sigurojë vizën për në Francë. Sabiti nga i dëmtuari merr 400 euro, dy fotografi dhe pasaportën. Mirëpo, nuk ia siguron vizën kurrë dhe nuk ia kthen të hollat.
Lënda e tretë ishte, kur i dëmtuari S. R. e kishte denoncuar pasi që në tregun e automjeteve në Ferizaj, Sabiti i kishte thënë se ka lidhje me ambasadën gjermane në Prishtinë dhe do t’ia sigurojë vizën dhe ia kishte kërkuar 1.000 DM. I dëmtuari nuk kishte parë as vizën as paratë.
Lidhur me këto vepra, Sabit Rrahamni është dënuar nga Gjykata komunale e Ferizajt me 4.000 euro gjobë si dhe t’iu kthejë të dëmtuarve të hollat. Gjykata e Qarkut në Prishtinë me ankesë të prokurorit këtë aktvendim e zëvendëson me pesë muaj burg.
Ky vendim është i prerë dhe Sabiti do t’i mbajë pesë muaj burg. Se a do të vazhdojë me mashtrime edhe pas burgut, mbesim të presim pas pesë muajve.
Sabiti ka bërë edhe mashtrime të tjera duke përdorur shoqatën “Zëri i Popullit”, dhe detyrën e tij si deputet në Parlamentin e Kosovës, mirëpo të dëmtuarit nuk dëshirojnë t’i paraqesin publikisht duke shpresuar se do t’i nxjerrin të hollat e tyre. Kurse në anën tjetër policia nuk dëshiron të japë detaje për paditë e tjera të tij, për arsye të hetimeve.
” Deputeti Rrahmani ditë më parë ka thënë se mashtrimet i ka bërë për “me i ngopë komunitetin e tij ashkali me bukë. ”